“Varr masiv qensh në zemër të Tiranës”, denoncimi në rrjetet sociale

albnews
By
3 Min Read

Organizata Animal Rescue Albania ka denoncuar në rrjetet sociale një “varr masiv qensh: në Tiranë. Sipas tyre bëhet fjalë për 11 kafshë të ngrira, që tregon se janë mbajtur gjatë në ambiente frigoriferike. Gjithashtu janë gjetur mbetje spitalore që ngrenë dyshime mbi përfshirjen e strukturave si dhe qese e materiale që mund të ndihmojnë për zbardhjen e ngjarjes.

Organizata thotë se ka bërë kallëzim penal dhe dorëzuar çdo provë, ndërsa kërkon hetim të plotë transparent dhe urgjent. Gjithashtu shprehet se e dinë kush fshihet pas ngjarjes dhe bën thirrje se një vepër e tillë është dështim i rëndë njerëzor e institucional dhe nuk i përket një qyteti që pretendon të jetë europian.

Postimi i plotë:

“Masakër në zemër të Tiranës: Varr masiv qensh në mes të Tiranës- 11 trupa qensh të ngrirë dhe një ndërgjegje e vdekur

Sot u përballëm me një nga pamjet më makabre që kemi parë ndonjëherë. Pas një raportimi nga vullnetarët, shkuam në vendngjarje dhe ajo që gjetëm ishte përtej çdo imagjinate njerëzore.

Në kazanët e mbeturinave u gjetën mbi 11 trupa qensh të pajetë, të hedhur pa asnjë mëshirë, si të mos kishin qenë kurrë qenie të gjalla.

Faktet tronditëse:

Trupat ishin të ngrirë: Gjendja e tyre tregon qartë se janë mbajtur për një kohë të gjatë në ambiente frigoriferike përpara se të hidheshin.

Mbetje spitalore: Mes trupave u gjetën materiale veterinare dhe pjesë trupore që lidhen me ndërhyrje sterilizimi, çka ngre dyshime serioze mbi përfshirjen e strukturave të caktuara.

Prova në vendngjarje: Kemi gjetur qese dhe materiale specifike që mund të ndihmojnë në identifikimin e origjinës së këtij krimi.

Asnjë krim nuk mbetet pa gjurmë.

Kemi depozituar menjëherë kallëzim penal dhe kemi dorëzuar çdo provë në dispozicionin tonë. Tashmë, barra i mbetet autoriteteve: kërkojmë një hetim të plotë, transparent dhe urgjent.

Kushdo që fshihet pas këtij akti duhet të mbajë përgjegjësi penale.

Dhe le të jetë e qartë: për ne nuk ka asnjë dyshim se kush e ka kryer këtë akt dhe nga kanë dalë këta qen. Ne e dimë shumë mirë kush jeni — dhe ata e dinë po aq mirë që ne e dimë.

I bëjmë thirrje vullnetarëve, punonjësve apo qytetarëve që kanë informacion:

Mos heshtni.

Heshtja juaj është ajo që e lejon këtë barbarizëm të vazhdojë.

Vrasja masive dhe trajtimi i kafshëve si mbeturina spitalore është një dështim i rëndë njerëzor dhe institucional.

Një qytet që pretendon të jetë europian nuk mund të lejojë që kazanët e plehrave të kthehen në varreza masive të fshehta.

Tirana nuk mund dhe nuk duhet të jetë kjo.”

Share This Article