“Shpulla e parë amerikane”, e ka cilësuar zëvendëskryeministri Erion Braçe, reagimin që Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim bëri sot pas shfaqjes së flamurit amerikan në manifestimin e presidentit Meta.
“Shpulla e parë amerikane. E surprizuar të shihja flamurin amerikan në “manifestimin” e sotëm…….nuk kemi të bëjmë fare me “manifestimin” e sotëm! I referohet mitingut të Presidentit të Republikës”, thekson Braçe duke publikuar reagimin në Twitter të ambasadores amerikane.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u shpreh sot e befasuar nga prania e flamurit amerikan në manifestimin e sotëm të thirrur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Ajo është shprehur se për të shmangur çdo konfuzion “sqarojmë se ndërsa SHBA mbështesin të drejtën e protestës paqësore, ne nuk kemi asnjë lidhje me “manifestimin” sonte”.
“U befasova kur pashë flamurin amerikan në “manifestimin’’ e sotëm. Për të mënjanuar çdo konfuzion, ne dëshirojmë të sqarojmë se, ndërkohë që SHBA mbështet të drejtën e protestës paqësore, ne nuk kemi asnjë lidhje me “manifestimin’’ e sotëm”, tha ambasadorja Kim./ATSH/