Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë sot dekorata për ushtarët e UÇK-së, ku me këtë rast ai tha se madhështinë e luftës së UÇK-së e ka shtuar pjesëmarrja e grave dhe vajzave, raporton KP-ja.
“Sot është nja ditë e veçantë për kombin tonë, sot shënojmë ditët e Epopesë së UÇK-së, kujtojmë luftën heroike, madhështore të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij. Manifestime që do të vazhdojnë gjatë tri ditëve të ardhshme. Si bashkëluftëtarë dhe si president i vendit vlerësoj lart kontributin e secilit, por madhështinë e ka shtuar, e ka rritur dhe e ka hijeshuar me sakrificën e vet edhe pjesëmarrja e grave, vajzave në UÇK”, tha Thaçi.
Ai, ditën e parë të Epopesë së UÇK-së, e shfrytëzoi për të nderuar me medalje disa nga ushtarët.
“Kam vendosur duke respektuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të ndaj dekorata për kontributin tuaj të çmuar. Këto dekorata iu jepen personave që kanë dhënë kontribut në lirinë dhe pavarësinë e vendit”, tha ai.