Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kërkon që sa më parë të shpallet gjendja e jashtëzakonshme si masë parandalimi ndaj përhapjes së koronavirusit të ri.
“Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzakonshme, sepse po përballemi me një fatëkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosoves. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka folë qartë!”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, situata me koronavirusin duhet të menaxhohet maksimalisht nga institucionet e vendit dhe nga vet qytetarët dhe bizneset.
“Sot, si kurrë më parë, është koha që institucionet e Kosovës parreshtur të komunikojnë mes veti. Presidenti, Parlamenti, Qeveria”, ka shkuar Mustafa.
Kosova ka shpallur gjendjen e emergjencës së shëndetit publik, pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirusin e ri.
Deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar 16 raste të infeksioneve me këtë virus.
Koronavirusi i ri ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë.
Në muajt vijues pothuajse gjitha vendet e botës kanë raportuar raste me infeksione.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins deri më 17 mars, në gjithë botën janë konfirmuar 185,067 raste me koronaviusin e ri. Mbi 80,236 të infektuar janë shëruar, ndërkaq të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, janë mbi 7,330 persona.