Sot takova ish-Kryeministrin dhe Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa për të diskutuar Mocionin e Mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. E informova z. Mustafa se AAK do të votojë për këtë mocion, sepse Qeveria Kurti jo vetëm që do të jetë Qeveria më jetëshkurtër por edhe më e dëmshmja për Kosovën. AAK përkrah një zgjidhje të shpejtë pas rrëzimit të Qeverisë përbrenda institucioneve të vendit.
RH
Më poshtë gjeni qëndrimin e AAK-së në lidhje me votimin e mocionit të mosbesimit:
Pas deklarimit të LDK-së që do të propozojnë mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti gjatë ditëve në vijim, janë mbledhur argumentet valide që ky Mocion të jetë i suksesshëm.
Neni 100 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rregullon mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Argumentet më të qëndrueshme janë si në vijim:
• Kjo Qeveri prej fillimit ka qenë Qeveri e Mashtrimit, ka mashtruar partnerët me gënjeshtra por edhe ka mashtruar me Buxhet. Kjo Qeveri nuk do të mbahet në mend vetëm si Qeveria më jetëshkurtër por edhe si Qeveria më e keqe në historinë e Kosovës.
• Kjo Qeveri e bëri fakt të kryer heqjen e taksës duke I ndihmuar Serbisë dhe Rusisë e duke I prishur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
• Kjo Qeveri edhe në kohë krize në situatën emergjente të COVID-19 ka përçarë dhe ka keqmenaxhuar. Qasja e qeverisë është përçarëse ndaj popullit, partive, por edhe marrëdhënieve tona me partnerët ndërkombëtarë si ShBA.
• Kjo Qeveri me sjelljet e papranueshme ka rrezikuar dhe humbur Fondet e mbi 200 milion dollarëve nga Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) të ShBA-ve dhe Investimin më të madh të huaj prej 1.3 Miliardë Eurove me Contour Global.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të votojë për në Mocionin e Mosbesimit dhe e përkrahë një zgjidhje të shpejtë pas rënies së kësaj Qeverie.