Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu mëngjesin e së enjtes në një biznes riciklimi metalesh në Aspropyrgos, të Greqisë, duke shkaktuar plagosjen e të paktën 1 personave, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Flakët nisën pak para orës 08:00 në një biznes që merrej me shitjen e pjesëve të këmbimit për kamionë dhe makineri, përpara se të përhapeshin në një fabrikë plastike aty pranë. Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe ngarkesës së lartë termike, operacioni për shuarjen e flakëve u cilësua si jashtëzakonisht i vështirë.
Në vendngjarje u angazhuan 75 zjarrfikës me 20 automjete, katër mjete speciale dhe një helikopter, ndërsa autoritetet shprehën shqetësim edhe për praninë e një kamioni me bombola propani brenda ambienteve të kompanisë, çka rriti ndjeshëm rrezikun.
Sipas informacioneve të fundit, shtatë persona janë shtruar në Spitalin “Thriasio”, ku dy prej tyre janë të intubuar dhe në gjendje të rëndë. Tre të plagosur të tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta dhe pritet të marrin daljen nga spitali gjatë ditës.


