Reperi amerikan Kanye West pritet të ngjitet në skenën e një koncerti në Tiranë më 11 korrik, një aktivitet që ka shkaktuar reagime dhe debate për shkak të figurës së tij publike dhe deklaratave të mëparshme kontroverse, ndërsa vendi ynë po përballet me protesta masive.
Gazeta franceze “Le Monde” shkruan se artisti, i cili është përballur me anulime koncertesh dhe kufizime në disa vende evropiane për shkak të deklaratave të tij antisemite dhe pro-naziste, do të performojë në Shqipëri, ndërsa aktiviteti është shoqëruar me polemika politike.
Sipas artikullit, koncerti do të mbështetet me një financim prej rreth 4 milionë eurosh, ndërsa disa protestues kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama se po e përdor këtë ngjarje për qëllime politike dhe promovim personal.
Nga Jean-Baptiste Chastand, LE MONDE
I shpallur persona non grata në shumicën e vendeve të Evropës për shkak të shpërthimeve të tij neonaziste dhe antisemite, reperi amerikan Kanye West do të pritet, përkundrazi, me krahë hapur të shtunën, më 11 korrik, në Tiranë, nga një pushtet shqiptar që aktualisht po kundërshtohet fuqishëm në rrugë.
Kryeministri i këtij vendi të vogël ballkanik, socialisti Edi Rama, vendosi të hënën, më 6 korrik, të çlirojë “me urgjencë” një subvencion prej 4 milionë eurosh për të shpëtuar koncertin e yllit kontrovers amerikan, i cili duhet të zhvillohet atë mbrëmje në periferi të Tiranës.


