Tre zjarre të mëdha kanë shpërthyer në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, duke mobilizuar shërbimet e emergjencës dhe duke detyruar autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në Conwy Mountain, në Uellsin e Veriut, ku banorët janë evakuuar për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.
Një tjetër vatër e madhe zjarri është regjistruar në Saddleworth, pranë rezervuarit Dovestone në Greater Manchester (Angli), ku zjarrfikësit po luftojnë për të frenuar flakët që kanë përfshirë zonën malore.
Ndërkohë, një zjarr i tretë ka shpërthyer në Eastbourne Downs, në East Sussex (Anglia juglindore). Ekipet e emergjencës kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll, ndërsa nuk raportohen viktima.
Autoritetet kanë paralajmëruar se moti i nxehtë, thatësira dhe erërat e forta kanë rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në shumë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar. Hetimet për shkaqet e zjarreve janë ende në vijim.


