Jetët e stafit të NHS-së dhe pacientëve u vunë në rrezik gjatë pandemisë së Covid-19 për shkak të mungesës së pajisjeve të përshtatshme mbrojtëse personale (PPE), sipas raportit të Hetimit Publik për Covid në Mbretërinë e Bashkuar.
Raporti zbulon se nga 14.9 miliardë paund të shpenzuara për blerjen e pajisjeve mbrojtëse, pothuajse dy të tretat – rreth 10 miliardë paund – u shpërdoruan. Sipas hetimit, vendi hyri në pandemi me rezerva të pamjaftueshme të maskave, dorezave dhe përparëseve mbrojtëse, duke mos qenë i përgatitur për të përballuar kërkesën e madhe globale.
Si pasojë, shumë punonjës të kujdesit shëndetësor nuk arritën të mbroheshin siç duhet, duke rritur rrezikun për veten dhe pacientët e tyre.
Kryetarja e hetimit, Baronesha Heather Hallett, e cilësoi shpërdorimin e parave të taksapaguesve si “të jashtëzakonshëm” dhe kritikoi varësinë e madhe të Britanisë nga Kina për furnizimin me pajisje mbrojtëse.
Raporti thekson se, duke përfshirë edhe testet e Covid-it dhe pajisje të tjera si ventilatorët, shpenzimet totale të qeverisë britanike nga janari 2020 deri në qershor 2022 kaluan 42 miliardë paund.
Hetimi arrin në përfundimin se Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e përgatitur për pandeminë, ndërsa keqmenaxhimi i furnizimeve me pajisje mbrojtëse solli rreziqe serioze për sistemin shëndetësor dhe një kosto të madhe për taksapaguesit.


