Rrëzohet avioni në Bahamas, 10 të vdekur – shuhen pesë anëtarë të grupit muzikor Da Pond Band

Share

Një aksident tragjik ajror në Bahamas i ka marrë jetën 10 personave, përfshirë pesë anëtarë të grupit të njohur muzikor Da Pond Band, të cilët po udhëtonin për të performuar në festivalin tradicional All-Andros and Berry Island Regatta.

Avioni i vogël tip Cessna 402, i kompanisë Flamingo Air, ishte nisur nga aeroporti ndërkombëtar Lynden Pindling në Nassau me destinacion San Andros, kur u rrëzua pranë North Andros. Fillimisht u raportua për një të mbijetuar, por autoritetet konfirmuan më vonë se të gjithë personat në bord humbën jetën.

Mes viktimave janë drejtuesi i grupit Giovanni McKenzie, këngëtari Travis Johnson, kitaristi Rashad Storr, basisti Mateo Winder dhe Tonique Gilot. Vdekja e tyre ka tronditur komunitetin artistik në Bahamas. Anëtarët e mbijetuar të grupit i përshkruan kolegët e humbur si “zemra dhe shpirti i Da Pond Band”.

Pas aksidentit, qeveria e Bahamas pezulloi përkohësisht operimet e kompanisë Flamingo Air, ndërsa Autoriteti për Hetimin e Aksidenteve Ajrore ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e tragjedisë.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit