Gjatë mbrëmjes e djeshme ndërroi jetë një pacient i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili vuante nga kanceri në mushkëri, në stad tejet të avancuar.
71-vjeçari me origjinë nga Kuçova, i trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, prej 7 ditësh ishte shtruar në spitalin Infektiv dhe gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial. Ai vuante nga disa sëmundje shoqëruese: Kancer mushkërie, diabet mellitus, fibrilacion arterial dhe hipertension.
Lapsi.al mësoi se ai ndodhej në Sanatorium kur u infektua nga një i afërm i tij që kishte shkuar ta vizitonte. I afërmi sapo ishte kthyer nga Italia. Pasi u infektua 71-vjeçari, prej u prekën edhe 7 mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi” të cilët ndodhen në gjendje të mirë dhe pa shenja.
Ky është rasti i 3-të që humb jetën në Shqipëri nga koronavirusi. E para ishte një grua 73-vjeçare nga Durrësi dhe rasti i dytë një 66-vjeçar nga Lushnja.
Në Shqipëri janë regjistruar 89 të prekur me virusin, nga të cilët vetëm 3 janë shëruar. 43 pacientë janë në spitalin Infektiv ndërsa 4 prej tyre gjendjen në terapi intensive në gjendje më të rënduar.