Maqedonia e Veriut sot zyrtarisht u bë anëtarja e 30-të e NATO-s. Në Departamentin amerikan të Shtetit u deponua protokolli për anëtarësimin e vendit në NATO.
Ceremonia e ngritjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut në selinë e NATO-s në Bruksel do të mbahet të hënën. Presidenti Stevo Pendarovski thotë se pavarësisht anëtarësimit në kohë pandemie, vendi duhet t’i gëzohet realizimit të qëllimit strategjik.
Edhe përskaj periudhës së vështirë që po e kalojmë, nuk mund të gëzohemi dhe manifestojmë siç duhet, sërish duhet të gëzohemi se bëhet fjalë për ngjarje historike të cilën arritëm ta realizojmë dhe që do ta na garantojnë siguri më të madhe- deklaroi Stevo Pendarovski, President.
Shefi i diplomacisë Dimitrov i shoqëruar nga ambasadorja amerikane Bërns realizuan një video lidhje me ushtruesin e detyrës ndihmës sekretar për Evropën dhe Evro-Azinë në Departamentin e shtetit Filip Riker
Ky është një moment historik që i takon të gjithë qytetarëve e vendit tonë dhje një plejade të politikanëve e vizionarëve të cilët tre dekadat e fundit punuan që të realizohet ideja për një vend më të sigurt dhe me prosperitet- pohoi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Maqedonia e Veriut është anëtarja e 30-të e NATO-s. Uroj të gjithë qytetarët për këtë arritje monumentale. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Maqedoninë e Veriut si vend që kontribuon për Aleancën. Tani nuk jeni vetëm anëtar të NATO-s por edhe do të filloni edhe bisedimet për në BE- tha Kejt Bërns, Ambasadore e SHBA-së.
Sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo ka thënë se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO paraqet kulmin e përpjekjeve të bëra prej vitesh nga Qeveria dhe populli dhe se ky akt do të ndihmojë në integrim më të shpejtë, reforma demokratike, siguri dhe stabilitet në tërë rajonin.
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut gjithashtu vërteton se dera për anëtarësim mbetet e hapur edhe për të gjitha vendet tjera të cilat duan dhe mund të zbatojnë reformat e patjetërsueshme të nevojshme për arritjen e standardeve të larta të NATO-s, si dhe t’i pranojnë përgjegjësitë dhe përfitimet nga anëtarësimi- deklaroi Majk Pompeo, Sekretar amerikan i shtetit.
Nga ana tjetër edhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së kanë miratuar vendimin për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por pa datë konkrete. Kreu i LSDM-së Zaev tha se nuk pret pengesa nga Bullgaria gjatë përcaktimit të kornizës së bisedimeve.
Shteti jonë as nuk dëshiron dhe as nuk guxon t’i shmanget përgjegjësive që i kemi me Bullgarinë, respektivisht periudhat historike të cilat duhet të na afrojnë dhe miqësojnë. Duhet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Ne duhet të mbajmë llogari për anën bullgare, ata të mbajnë llogari për anën maqedonase- tha Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së
Pas video samitit të mbajtur ditë më parë, eurokomisari Oliver Varhejli ka potencuar se “BE-ja do ta hartojë kornizën e bisedimeve derisa reformat duhet të vazhdojnë edhe në Maqedoni të Veriut edhe në Shqipëri”. Pas miratimit të vendimit, BE-ja ka aktivizuar edhe fondin solidar për dyja vendet me qëllim ballafaqimin e pandemisë.