Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka komentuar zërat e ditëve të fundit për mundësinë e trazirave në Kosovë.
Mëngjesin e sotëm, gjatë një prononcimi në një televizion, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha: “Presidenti t`i shpallë zgjedhjet, ndryshe mund të ketë vëllavrasje”.
Veseli, në një intervistë në televizionin publik, tha se sa të ekzistojë PDK-ja, në Kosovë nuk do të mund të ketë luftë vëllavrasëse dhe kushdo që nxitë kë luftë, nuk ka vend në Kosovë.
“E para, dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës që të ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre. Askush nuk duhet të ketë frikë nga frikacakët që bëjnë thirrje për dhunë. Këta njerëz nuk ju kanë gjetur vendit të vet kur ka qenë koha të luftojnë kundër Serbisë. Dhe, sot të thirret për luftë brenda shqiptarëve, kjo është e papranueshme. Unë ju siguroj se sa të jetë PDK, luftë civile në Kosovë kurrë nuk do të ketë. Kjo tokë u la me gjak të mijëra dëshmorëve e martirëve, vajzave dhe djemve, në luftë për liri. Gjaku nuk derdhet për pushtet. Po ju them: kushdo që bën thirrje për vëllavrasje, dhe luftë civile, nuk do të ketë vend në Kosovë”, tha Veseli.