Të gjithë austriakët do t’u duhet të vënë maska gjatë blerjeve, njoftoi sot qeveria, duke paraqitur edhe një masë tjetër të ashpër për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit të ri.
Austria është një nga vendet europiane që ka ndërmarrë masat më të hershme dhe më të rrepta kundër COVID-19.
“Sapo zinxhirët e supermarketeve me pakicë të kenë marrë maska, çdo blerësi do t’i dorëzohet pajisja mbrojtëse, kur të hyjnë në dyqane”, tha kancelari Sebastian Kurz në një konferencë për shtyp.
Në planin afatmesëm, maskat do të bëhen të detyrueshme edhe në situata të tjera ku njerëzit janë në kontakt të ngushtë, sipas planit të qeverisë.
Numri i rasteve me COVID-19 u rrit mbi 9 000 të hënën, ndërsa numri i të vdekurve tejkaloi 100, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Rritja ditore e infeksioneve të reja ka rënë në një mesatare prej 11 % gjatë katër ditëve të kaluara, shumë më poshtë se niveli i pikut prej 40 %.
Përveç maskave të detyrueshme për fytyrën, qeveria po punon për të përmirësuar një aplikacion të Kryqit të Kuq në celular, që paralajmëron përdoruesit kur një nga kontaktet e tyre është infektuar./ATSH/