Kufizimet për kontaktet shoqërore do të jenë në fuqi në të gjithë Gjermaninë deri më 19 prill, kështu vendosën kancelarja, Angela Merkel dhe 16 kryeministrat e shtetit.
Ata ranë dakord se qytetarët duhet të pakësojnë kontaktin me persona të tjerë, përveç anëtarëve të familjes së tyre, në përputhje me rregullat ekzistuese, përfshirë edhe gjatë ditëve të festave të Pashkëve.
Qeveria do i bëjë thirrje gjermanëve të heqin dorë nga udhëtimet private dhe vizitat e miqve dhe familjarëve gjatë pushimit të Pashkëve, si brenda Gjermanisë, ashtu edhe jashtë vendit.
Më 19 prill është dita e fundit e festave të Pashkëve në pothuajse të gjitha shtetet gjermane.
Gjatë një telefonate, Merkel dhe kryeministri bavarez, Markus Soeder i kërkuan kryeministrave të tjerë të mos hyjnë në diskutim publik kur mund të lehtësohen kufizimet aktuale.