Dhuna në fushën e futbollit ka çuar në një bojkot total të kampionatit shqiptar në të gjitha kategoritë, deri në rikthimin e sigurisë në stadiume. Në ambientet e kryeministrisë, u zhvillua një takim mes qeverisë dhe FSHF për zgjidhje të kësaj situate.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të ashpra deri në dënim me burg për të gjithë ata që ushtrojnë dhunë në stadiume.
Gjatë një takimi mes FSHF-së dhe qeverisë shqiptare me temë “Siguri-Reformim-Modernizim”, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministria e Sportit, drejtues të FSHF-së, drejtues të klubeve elitare të futbollit shqiptar, kreu i qeverisë tha se duhet të ndryshojë menjëherë kodi penal dhe të marrë fund kjo maskaradë sipas tij.
“Ne do ndërhyjmë menjëherë në kodin penal dhe kapërcimi i vijave të bardha, drejt tapetit të gjelbër, do dënohet me 3 vjet burg, jo me gjobë, por me burg. Kush kalon vijën e bardhë, është një kërcënim fizik për ata që po ushtrojnë detyrën e tyre, qoftë për futbollistët e qoftë për gjyqtarët. Kemi domosdoshmërinë që ta bisedojmë dhe aplikojmë këtë nismë ligjore. Po ashtu, do të ketë përjashtim përjetë të atyre që shkelin vijat e bardha, ky do jetë hapi i parë që duhet të bëjë Parlamenti pas ndryshimit të kodit ligjor”, u shpreh Rama.
Ai hoqi një paralele me Britaninë e Madhe në vitin ’89, ku një masë e tillë u mor për të parandaluar dhunën dhe që ishte efikase për ata që shkelnin ligjin.
Rama u tregua i angazhuar për ta zgjidhur këtë çështje, duke theksuar se duhet të arrihet në një dokument reforme të futbollit.
“Kemi nevojë jo për zgjidhjen e një emergjence, por për të vendosur një bazë pa kthim në raport me dhunën. Policia e shtetit dhe FSHF-ja mos ia lënë topin njëra-tjetrës, por të bashkëpunojnë ngushtë. Di që ka një pengesë ligjore për hyrjen në stadiume, se ligji nuk e lejon dhe se kthimi i policisë në stadiume do kërkonte amendimin e këtij ligji, si dhe vendimin e posaçëm të qeverisë, por kjo nuk është një mënyrë për t’u fshehur pas gishtit”.
Kreu i qeverisë e konsideron si të domosdoshme vendosjen e kamerave të sigurisë në stadiume nga ana e klubeve të futbollit.
“Dhuna nuk është vetëm çështje e policisë. Jetojmë në epokën e teknologjisë dhe duhet të garantohet monitorimi i stadiumeve me kamera, klubet të detyrohen të pajisin impiantet me kamera që t’i japë mundësi policisë të identifikojë keqbërësit në stadium dhe të bëjë që prokuroria të mos kthejë kërkesat e gjykatës me prova”, tha ai./TCH/