Besimtarët ortodoksë sot e festojnë festën më të madhe krishtere Pashkët – Ringjalljen e Krishtit, dita kur Jezu Krishti, sipas besimit krishter, e dëshmoi fuqinë e tij hyjnore dhe u ringjall nga të vdekurit.
Ringjallja e Krishtit në mesnatë ishte kumtuar në të gjitha tempujt e Kishës ortodokse të Maqedonisë së Verut, ndërsa sot mbahen liturgji rasti.
Kjo festë është bashkim i besimit dhe traditës, e kultivuar që ngaherë, ndërsa fillon Të enjten e Madhe që para lindjes së diellit kur amviset i ngjyrosin vezët e para të Pashkëve. Kjo traditë kishtare rrjedh që prej shekullit të parë pas Krishtit, përkatësisht kjo praktikohej që në kohën e apostujve të shenjtë – nxënësit e Krishtit dhe trashëguesve të tyre.
Ngjyra e kuqe ka simbolikën e fitores. Rëndësia e saj në këtë festë krishtere është se Jezu krishti me ringjalljen e vet e fitoi vdekjen.
Sipas Traditës së shenjtë konsiderohet se Maria Magdalena e para e ka filluar këtë rit për vezët e kuqe të Pashkëve.
Duke e ndjekur shembullin e saj, të krishterët e parë filluan t’i dhurojnë vezët e kuqe në festën e Pashkëve dhe më pas të përshëndeten Krishti u ringjall – Me të vërtetë u ringjall.