Tregu i peshkut në Wuhan ishte një vend ku njerëzit shpesh sëmureshin. Dyqanet shisnin gjithçka, nga shpendët e gjalla, deri tek ushqimet e detit. Ishte vend i pastër por i tejmbushur me njerëz.
Deri në mesin e dhjetorit kur Lan, i cili shiste ushqime deti të thata në një nga më shumë se 1000 tendat në Huanan, u ndje keq. Nuk e vrau shumë mendjen ditë. Të nesërmen vendosi të qëndrojë në shtëpi për të pushuar, por pasi humbi 3 kg në vetëm pak ditë, vendosi të shkojë në spital për një kontroll.
Nga atje u dërgua në një spital më të specializuar për sëmundjet infektive dhe u shtrua më 19 dhjetor. “Isha vetëm pak i sëmurë. Nuk u frikësova aspak”, thotë Lan.
Lan nuk mund ta dinte atëherë se ishte ndër rastet e para të një koronavirusi të ri, shumë ngjitës që do të vriste më shumë se 2.500 njerëz në qytetin e tij dhe do të pushtonte botën, duke infektuar më shumë se 1.6 milion njerëz deri më tani dhe duke vrarë më shumë se 95,000.
Organizata Botërore e Shëndetit e ka përshkruar shpërthimin e Covid-19 si krizën më të rëndë globale që nga lufta e dytë botërore. “Mendova se kisha një ftohje. As nuk e kisha idenë”, shprehet ai.
Ndërsa Kina po feston atë që pretendon se është fitorja ndaj sëmundjes, numri i infeksioneve dhe vdekjeve po rritet në të gjithë botën. Zyrtarë nga Australia, SHBA dhe Britania e Madhe kanë akuzuar Pekinin për mosdhënie të informacionit, duke lejuar që një shpërthim i lokalizuar të kthehet në pandemi.
Transmetimi nga njeriu-tek-njeriu
Në fund të dhjetorit, përpara se Lan të shërohej pas më shumë se 20 ditësh në spital, fjala kishte dalë në Wuhan për një sëmundje misterioze. Përdoruesit e Internetit qarkulluan pamjet e një bisede në WeChat më 30 dhjetor, në të cilën një mjek në spitalin e Kryqit të Kuq Wuhan, Liu Wen, paralajmëroi kolegët për raste të konfirmuara të një koronavirusi ngjitës, në një spital tjetër. “Lani duart! Maska për fytyrën! Dorashka!”, shkruante mjeku.
Një ditë më vonë, më 1 janar, tregu i peshkut Huanan u mbyll dhe zyra e sigurisë publike të Wuhanit njoftoi se tetë persona ishin “ndëshkuar” për përhapjen e thashethemeve. Autoritetet gjithashtu i ngarkuan spitalet të kontrollonin për raste pneumonie të lidhura me tregun. Por rreth 10 km larg, njerëz që nuk kishin qenë kurrë tek tregu i peshkut ishin sëmurë.
“Gjërat dolën jashtë kontrollit”
Në kohën kur zyrtarët zbuluan infektueshmërinë e virusit, spitalet në Wuhan ishin mbingarkuar dhe numrat u rritën me shpejtësi. Filmime të datave 22 dhe 23 Janar tregonin turma pacientësh në spitalin e Wuhanit.
“Kishte kaq shumë njerëz sa ne nuk mund të shkonim në shtëpi”, tha një infermiere që flinte në konviktin e spitalit dhe që merrte turnin çdo katër orë.
Më 23 Janar, qyteti me 11 milion banorë u vendos të mbyllej. Zonat përreth bënë të njëjtën gjë, duke vendosur një total prej më shumë se 50 milion njerëzish nën karantinë.
Wuhani ngadalë po i rikthehet jetës. Makinat kanë filluar të mbushin rrugët pasi njerëzit po i kthehen punës. Megjithatë, kujtimet e epidemisë do të mbeten. “Do ta kujtoj këtë gjatë gjithë jetës sime. Tani e kuptoj që nuk jemi të rëndësishëm”, thotë Han. / The Guardian – Bota.al