Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot se të gjithë avionët “Boeing 737 MAX 8” dhe “Boeing MAX 9” nuk do të ngrihen në fluturim në SHBA, pasi një avion i të njëjtit model i “Ethiopian Airlines” u rrëzua duke shkaktuar vdekjen e 157 personave.
“Ne do të dekretojmë në urgjencë ndalimin e të gjitha fluturimeve të modeleve 737 MAX 8 dhe 737 MAX 9”, deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke theksuar se ky vendim aplikohet me efekt të menjëhershëm, shkruan ATSH.
Rrëzimi që shkaktoi vdekjen e 157 personave nga 35 kombësi, është rasti i dytë në gjashtë muaj për modelet “Boeing 737 MAX 8”. Në rrethana të ngjashme, një avion i të njëjtit lloji u rrëzua në fund të tetorit në brigjet e Indonezisë, duke shkaktuar vdekjen e 189 personave.