Në nivel global rreth 3 milion njerëz janë infektuar me COVID 19, prej të cilëve 1 milion vetëm në SHBA ku momentalisht ka mbi 52 000 viktima, apo dyfish më shumë se në Itali.
Ndërkohë ekspertët po reagojnë ashpër pas rekomandimeve të Presidentit, Donald Trump që pacientët me COVID 19 të trajtohen përmes rrezeve ultravjollcë dhe injektimit të dezinfektuesit. Sipas mjekëve idetë e presidentit janë qesharake dhe nuk kanë bazë shkencore.
Madje shtete të ndryshme si Ohajo apo Vajomi po kërkojnë paisje për të bërë testime në mënyrë që t’i rihapin ekonomitë, duke hedhur poshtë pretendimet e Trumpit se janë bërë teste mbi nivelin e dëshiruar. Që nga fillimi i krizës me pandeminë, mbi 26 milionë amerikanë kanë humbur vendet e tyre të punës.
Në kontinentin evropian, Belgjika momentalisht është shteti me më së shumti viktima për kokë banori. Ka rreth 7000 viktima nga Koronavirusi, mbi gjysma e të cilëve ishin banorë të shtëpive të kujdesit. Megjithatë kryeministrja belge, Sofi Vilmes doli me plan për zbutjen e masave të izolimit. Sipas planit deri më 11 maj do të hapen të gjitha dyqanet, ndërsa më 18 maj edhe shkollat por me numër më të ulët të nxënësve nëpër klasa. Kafetë dhe restoranet gjithsesi do të mbeten mbyllur deri në qershor.
Edhe shtete tjera kanë paralajmëruar lehtësim të masave të izolimit. Të premten Republika Çeke i dha fund kufizimeve të lëvizjes. Në Gjermani janë rihapur disa dyqane ndërsa shkollat do të hapen gradualisht nga fillimi i majit. Ndërkohë në Suedi vazhdon të vlejë vetëm ndalesa e tubimit e mbi 50 persona, pasi shkollat, baret, restoranet dhe bizneset tjera janë akoma hapur.
Nga ana tjetër, Rusia ditëve të fundit ka shënuar një rritje për rreth 10% të rasteve të reja ditore. Është shteti i dhjetë më i prekur në botë, me rreth 75 000 të infektuar. Autoritetet ruse së fundmi i njoftuan qytetarët se nuk do të mund të udhëtojnë për të paktën një vit jashtë shtetit. Lëvizja është e kufizuar përmes një sistemi digjital të udhëtimit, që ndër tjerash cakton numrin e udhëtimeve që mund të bëjë një qytetar. Presidenti, Vladimir Putin iu ka kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi deri në fund të prillit, duke paralajmëruar se kulmi i pandemisë akoma nuk ka ardhur.