Separatistët në jug të Jemenit e kanë shpallur vetëqeverisjen, duke e shkelur marrëveshjen e paqes, të nënshkruar në nëntor me qeverinë e njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Këshilli Kalimtar Jugor, me seli në Aden, e shpalli gjendjen emergjente, duke thënë se do ta qeverisë qytetin bregdetar dhe provincat e tjera jugore. Ky grup përkrahet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në anën tjetër, qeveria e Jemenit, e përkrahur nga Arabia Saudite, paralajmëroi për pasoja të rrezikshme dhe katastrofale pas veprimit të separatistëve, shkruan “BBC”.
Të dyja palët e konfliktit e kishin nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e pushtetit. Kombet e Bashkuara e kishin vlerësuar këtë pakt si hap të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës civile në Jemen.
Lufta në Jemen është përshkruar si kriza më e rëndë humanitare në botë. Raportohet se deri më tani në këtë luftë kanë vdekur më shumë se 100,000 njerëz.
Konflikti kishte filluar në fund të vitit 2014, kur rebelët e grupit Houthi e kishin marrë nën kontroll kryeqytetin Sanaa. Një vit më vonë, një koalicion ushtarak, i udhëhequr nga Arabia Saudite, ndërhyri me forcë në Jemen për t’i ofruar përkrahje qeverisë së njohur nga komuniteti ndërkombëtar.