Ndërsa Bjellorusia po i reziston mbylljes së masë për ta luftuar koronavirusin, liga e futbollit e saj ka bërë famë ndërkombëtare, pasi është liga e vetme në Evropë ku ende po luhet futboll, shkruan AFP-ja.
Por, lojtarët janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe vetëm tifozët më të flaktë janë të guximshëm për të shkuar në stadium.
Tifozi i FC Slutsk, Yan Khavanski 26-vjeçar, thotë se është pak i frikësuar, por nuk mund ta paramendojë fundjavën pa vizitë në stadium futbolli.
Ai thotë se mban maskë dhe mundohet të mos prekë gjëra derisa është në stadium.
“Stadiumi ka kapacitet 2000 ulëse, por vetëm 300 ishin në ndeshjen e fundit. Mund të ulesh kudo që dëshiron dhe ta mbash distancën”, thotë ai.
Ai insiston se do të vazhdojë t’i shikojë ndeshjet në stadium, pavarësisht rrezikut. Sipas tij, gjasat janë të njëjta që të infektohet edhe duke përdorur transportin publik apo në shitore.
Jeta vazhdon normalisht në Bjellorusi, ku lideri autoritar, Alexander Lukashenko, ka refuzuar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të aplikuar masa kufizuese.
Me një popullatë rreth 10 milionë banorë, Bjellorusia ka regjistruar 9590 raste. Ukraina fqinje, që ka katër herë më tepër banorë, ka më pak raste të regjistruara.
Federata e Futbollit të Bjellorusisë (BFF) ka ndjekur udhëzimet e Qeverisë, duke thënë se nuk do t’i ndalë ndeshjet nën direktivat momentale.
BFF-ja madje ka njoftuar këtë javë se edhe liga e femrave do të nisë më 30 prill, pas një shtyrjeje dyjavore nga frika se lojtaret kanë qenë në kontakt me një person të infektuar me koronavirus.
Në letër, vendimi për t’i lejuar ndeshjet ka ndikuar në famë të madhe për ligën pak të njohur.
Rrjeti më i madh sportiv në Rusi ka blerë të drejtat në mars për t’i transmetuar ndeshjet, një lëvizje që është ndjekur edhe nga 11 shtete të tjera, përfshirë Indinë e Izraelin.
Klubet kanë hapur në Twitter edhe llogari në gjuhën angleze për numrin në rritje të tifozëve të huaj.
Tifozët dhe menaxhmenti po hamendësojnë nëse ky interesim i ri mund ta shpëtojë FC Slutskin. Sponsori kryesor i FC Slutskit është një kompani lokale e sheqerit.
“Por, industria e sheqerit është në rënie”, ka thënë presidenti i klubit Vitaly Bunas.
Me drejtorin e fabrikës në burg për shkak të korrupsionit, Bunas thotë se financat e klubit janë në gjendje katastrofale.
Por, tifozë në Australi kanë mbledhur rreth 4000 dollarë dhe kanë nisur një grup në Facebook për përcjellësit e FC Slutskit nga vendet e jashtme, një iniciativë për të cilën është befasuar Bunas, por të cilën e mirëpret.
Ndonëse numri i tifozëve nga jashtë po rritet, numri i tifozëve vendas është duke u ulur. Në total ishin vetëm 2383 shikues në tetë ndeshje në ligë fundjavën e kaluar.
Ndeshja e Dinamo Minskut kundër Neman Grodno, e mbajtur në stadiumin më të madh në vend fundjavën e kaluar, u luajt në prani të vetëm 317 tifozëve.
Në fund të marsit, tifozët në Grodno kanë kritikuar reagimin ndaj pandemisë, duke i bërë thirrje BFF-së që të marrë guximin dhe ta ndalë kampionatin.
Grupet e tifozëve të të gjitha klubeve të mëdha kanë thënë se do t’i bojkotojnë ndeshjet.
Disa lojtarë, përfshirë ata që vijnë nga shtete të tjera, kanë thënë se liga duhet pezulluar.
“Është pak e frikshme”, ka shkruar sulmuesi i Dinamo Brestit, Artem Milevsky, në Instagram javën e kaluar, pas ndeshjes në Vitebsk, në qytetin që është i dyti për nga numri i të infektuarve në Bjellorusi.
Mesfushori i Dinamo Minskut, Danilo, u ka thënë mediumeve braziliane: “Nëse kampionatet e mëdha janë pezulluar, atëherë pse jo ai i Bjellorusisë? Duhet ta bëjmë të njëjtën gjë”.
Por, me famën e ligës duke u rritur vazhdimisht, lojtarët e tjerë e shohin këtë si momentin e tyre për të rënë në sy.
Futbollisti francezo-armen, Hayk Mosakhanian, thotë se është plus që po vazhdon liga, duke e mirëpritur këtë popullaritet.
Mesfushori i Energetik-BGU ka shtuar se lojtarët e rinj duan ta tregojnë veten. Për yjet që po vijnë, thotë ai, pandemia ka ofruar mundësi për të rënë në sy.
“Është një mundësi”, ka thënë ai.