Ministri italian i Kulturës, Dario Franceschini inkurajoi italianët, por gjithashtu edhe turistët e huaj, të kalojnë pushimet e verës në Itali, në një intervistë për të përditshmen “Il Messaggero”.
“Ne po investojmë shumë në turizmin e brendshëm, sepse ky do të jetë një pushim veror në Itali”, deklaroi Dario Franceschini (anëtar i Partisë Demokrate, qendra e majtë), i cili shtoi se qeveria po punon gjithashtu për një rikthim të turistëve të huaj në gadishull.
“Fatkeqësisht, mendoj se turizmi ndërkombëtar do të ketë një ulje të ndjeshme këtë verë. Si hyrjet ashtu dhe daljet”, pranoi ai duke inkurujuar bashkëatdhetarët e tij të mbështesin sektorin turistik në vështirësi duke kaluar pushimet e tyre në vend.
Ministri këmbënguli në nevojën për të pasur të njëjtat protokolle dhe të njëjtat standarte për mbrojtjen shëndetësore në Europë, me qëllim që qytetarët nga vende të ndryshme të BE-së të mund të qarkullojnë të lirë.
Në këtë pikë, ai theksoi se po punon në mënyrë të veçantë me Gjermaninë, vend që ka shumë turistë që kalojnë pushimet në Itali.