Sot në disa nga mediat shqiptare ka qarkulluar një shkresë e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, sipas të cilit Universiteti i Tiranës do të zhvillonte zgjedhjet për stafet drejtuese dhe anëtarët e Senatit, në një kohë kur studentët janë në shtëpi. Por, rektori i Universitetit të Tiranës ka reaguar nëpërmjet deklaratës për shtyp, por edhe në faqen online të UT duke theksuar se ky është veprim I paprecedentë, krejtësisht në shkelje të ligjit të arsimit të lartë.
Njoftim për shtyp i Universitetit të Tiranës
Sot në media është lançuar lajmi se në Universitetin e Tiranës do të zhvillohen zgjedhje për autoritete dhe anëtarë të Senatit Akademik të UT, kjo bërë me dije mediave nga një grup personash, që në fakt janë ish anëtarë të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ) në Universitetin e Tiranës.
Sqarojmë për mediat dhe mbarë opinionin publik se veprimi i kryer nga këta persona që në fakt, janë personel akademik i Universitetit të Tiranës, është një veprim i paprecedentë, krejtësisht në shkelje të ligjit të arsimit të lartë 80/2015, të Rregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës”, tashmë të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, dhe i publikuar edhe në faqen zyrtare të UT, www.unitir.edu.al, me të cilën mund të njihet gjithkush për të kuptuar edhe më mirë shkeljet ligjore të personave në fjalë.
Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni me anë të kësaj deklarate për shtyp siguron personelin akademik dhe studentët e UT se në Universitetin e Tiranës, shumë shpejt do të zhvillohen zgjedhje të ndershme, me procedura të ligjshme, me qëllim për të zgjedhur autoritete drejtuese dhe anëtarët e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.