Sylë Ukshini
Për ata që dinë gjermanisht, një intervistë jashtëzakonisht interesante me një njeri jashtëzakonisht të veçantë, me themeluesin kombëtar kryesor si dhe kryeministrin e parë të shtetit të Izraelit, David Ben-Gurion, e zhvilluar qysh në vitin 1968. Një politikan model edhe për stilin e jetës së tij modeste.
Ishte një zbulim i bujshëm. Një intervistë e zhvilluar me David Ben-Gurion, themeluesin e Izraelit, kurrë nuk ishte transmetuar dhe qëndronte e papërdorur në Arkivin e Spielberg në Jeruzalem që nga viti 1968. Shiritat filmikë konsideroheshin të humbur. Dokumentari “Ben-Gurion – Rrëfime të hapura të një burri shteti” tani paraqet atë që është pa dyshim një nga intervistat më të pazakonta me politikanin e shekullit, i cili është sa karizmatik po aq edhe profetik. Dokumentari, jo vetëm që jep një vështrim mahnitës në të kaluarën, për jetën shpirtërore të ish-kryeministrit izraelit, por gjithashtu ballafaqon shikuesin me ide mjaft aktuale. Është një dokumentar i jashtëzakonshëm, vetëkritik dhe shumë aktual. Duke folur për raportet me gjermanët në një moment ai thotë “ishte gabim që të gjithë gjermanët të quheshin nazistë, kjo ishte e padrejtë. Konrad Adenauer nuk mund të konsiderohej nazist. Adenauer nuk ishte nazist”.
Intervista, që u realizua në vitin 1968, ishte një hulumtim për një film që nuk u bë kurrë. Biseda tregon një Ben-Gurion në një kohë të veçantë. Ai është 82 vjeç, jeton në shkretëtirë në jug të Izraelit, larg qeverisë dhe shkruan kujtimet e tij. Prej pesë vitesh ai kishte hequr dorë nga të gjitha detyrat, ndërkohë i kishte vdekur gruaja, e cila e kishte shoqëruar gjithë jetës.
Filmi, jo vetëm që jep një vështrim gjithëpërfshirës, nganjëherë intim në të kaluarën, në jetën e zemrës dhe shpirtit të ish-kryeministrit izraelit, por gjithashtu konfronton shikuesit sot me mendime dhe ide aktuale. “Nëse unë duhet të zgjedh mes vendit ose paqes, atëherë paqja është më e rëndësishme”, thotë David Ben-Gurion dhe madje ai paraqet idenë që për paqen të tërhiqet nga zonat e pushtuara.
Po kush ishte Ben-Gurion?
Ben-Gurion u lind në Płońsk Poloni – atëherë pjesë e Perandorisë Ruse (David Grün, më16 tetor 1886 – 1 dhjetor 1973). Babai i tij, Avigdor Grün, ishte një avokat dhe udhëheqës i lëvizjes Hovevei Zion. Nëna e tij, Scheindel (Broitman), vdiq kur ishte 11 vjeç. Çertifikata e lindjes e Ben-Gurion, e gjetur në Poloni në vitin 2003, tregoi se ai kishte një vëlla binjak që vdiq menjëherë pas lindjes.
Më 1906 ai emigroi në Palestinën otomane, ku u shokua nga krimet dhe anti-semitizmin dhe u bë një nga drejtuesit kryesorë të Zionistëve Poale bashkë me Yitzhak Ben-Zvi.
Në Palestinë, fillimisht punoi në bujqësi, duke mbledhur portokalle. Më 1909 ai u bë vullnetar me HaShomer, një grup vullnetarësh që ndihmonte në mbikqyrjen e komuniteteve bujqësore të izoluara izraelite. Pasioni i Ben-Gurionit për Zionizmin, që i pati rrënjët që në fillim të jetës së tij, kulmoi në rolin e tij instrumental në themelimin e shtetit të Izraelit.
Ben-Gurion ishte udhëheqësi kryesor i komunitetit hebre në Palestinën e Mandateve Britanike nga viti 1935 deri në krijimin e Shtetit të Izraelit në 1948, të cilin ai e drejtoi deri në vitin 1963 me një pushim të shkurtër në 1954-55.
Pas tërheqjes nga jeta politike në vitin 1970, ai u shpërngul në Sde Boker, një kibuc në shkretëtirën Negev, ku ai jetoi në mënyrë modeste duke shkruar një histori prej 11 vëllimesh të viteve të para të Izraelit.
David Ben-Gurion vdiq në vitin 1973 në moshën 87 vjeçare dhe u varros në afërsi të gruas së tij Paula. Në testamentin e tij ai kish shkruar se në varrimin refuzonte të mbaheshin fjalime dhe breshëri nderi. Ai nuk arriti t’i përfundonte memoaret e tij.
Pas vdekjes, revista Time e cilësoi Ben-Gurion si një nga 100 njerëzit më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.
Shtëpia e Ben-Gurionit, ku ai jetoi nga viti 1931 e më tej, sot është një shtëpi-muze historik në Tel Aviv.
https://m.youtube.com/watch?v=R8LRVqFBC3w
Foto: Kryeministri i parë i Izraelit, David Ben Gurion, në shtëpinë e tij në vitin 1972, në prag të ditëlindjes së 86-të.