“Nuk mund të qëndrojmë në shtëpitë tona për 3 vitet e ardhshme. Duhet të riaktivizojmë sërish ekonominë e vendit”, tha presidenti i SHBA-ve, Donald Trump
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump tha se mund të ketë humbje të jetëve gjatë periudhës së lirimit të masave të koronavirusit të ri (COVID-19), por se në një mënyrë duhet të hapin ekonominë e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trump vizitën e tij të parë në periudhën e COVID-19 e ka zhvilluar në Arizona dhe në një intervistë këtu për ABC News ka bërë të ditur se disa shtete në vend kanë filluar të lirojnë masat e COVID-19.
“Teksa ekonomia e vendit riaktivizohet mund të ketë vdekje, sepse tashmë nuk do t‘i mbyllni njerëzit në shtëpitë e tyre. Por, në të njëjtën kohë ne do të ruajmë distancën sociale dhe do t’i lajmë duart tona”, tha Trump.
Ai ka tërhequr vëmendjen se për shkak të masave të COVID-19 personat që kanë humbur punët e tyre kanë filluar të përjetojnë probleme psikologjike. “Në vend shikoni ata. Njerëzit po vdesin nga mbidoza ose nga vetëvrasja. Duhet të rikthejmë njerëzit në punët e tyre dhe ne po e bëjmë këtë duke liruar masat”, tha Trump.
Duke mbrojtur idenë se masat për virusin nuk mund të zbatohen për një kohë të gjatë, Trump tha se “Nuk mund të qëndrojmë në shtëpitë tona për 3 vitet e ardhshme. Duhet të riaktivizojmë sërish ekonominë e vendit”.
– “Virusi do të largohet dhe do të kthehemi në normalitet, me apo pa vaksinën”
Trump ka refuzuar deklaratat e ekspertëve amerikanë se “COVID-19 do të vazhdojë të jetë një kërcënim i madh deri në gjetjen e trajtimit të tij ose të vaksinës”. Lidhur me këtë Trump thekson se “Në vend do vdesin edhe shumë njerëz, derisa virusi të kalojë. Po bëjmë një punë të mirë lidhur me vaksinën, por virusi do të largohet dhe ne do të kthehemi në normalitet, me apo pa vaksinën. Por, ky është një proces i vështirë dhe askush të mos ketë dyshim”.
Presidentit Trump iu parashtruan pyetje lidhur me parashikimet e bëra nga Universiteti “Johns Hopkins” se “vdekjet ditore në vend mund të arrijnë në 3.000 nëse zbuten masat” si dhe lidhur me parashikimin e Universitetit të Washingtonit se “deri në muajin gusht vdekjet në SHBA mund të arrijnë deri në 135.000”.
Duke mbrojtur idenë e tij se këto parashikime bazohen mbi supozimin se në vend nuk ka asnjë masë, Trump tha se “Këto modele kanë qenë të gabuara që në ditën e parë. Të gjitha parashikimet që kanë bërë këto universitete deri më tani kanë dështuar, por ato vazhdojnë të bëjnë të reja”.