Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të mërkurën ka paralajmëruar rreziqet për rikthim të masave të izolimit nëse shtetet që kanë nisur të lehtësojnë masat nuk arrijnë të menaxhojnë tranzicionin “me kujdes ekstrem dhe me ndarje të fazave”.
Drejtori i Përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka listuar një listë hapash të domosdoshëm, para se shtetet të nisin me lehtësimin e masave, për të kontrolluar shpërndarjen e koronavirusit, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe përgatitjen e sistemit shëndetësor.
“Rreziku i rikthimit të izolimit mbetet shumë real, nëse shtetet nuk menaxhojnë tranzicionin me kujdes ekstrem dhe në ndarje me faza”, ka thënë ai në një konferencë për media në Gjenevë.
Ai po ashtu ka thënë se nuk është e mundshme që bizneset t’i kthehen normalitetit kur pandemia eventualisht të “tërhiqet”, duke theksuar se ka nevojë për investime në sistemet shëndetësore.
“Pandemia e Covid-19 do të tërhiqet, por nuk mund të ketë kthim te bizneset sikur zakonisht”, ka thënë ai.