Instituti i Medies në Kosovë (IMK) në bashkëpunim me kompaninë “D@D”, kanë prezantuar hulumtimin “Efekti i pandemisë Covid-19 në mediat e Kosovës.
Fazli Veliu, kryetar i bordit të këtij Instituti, tha se pandemia ka preku mediat sa i përket të ardhurave.
Sipas tij, shumë medie lokale rrezikojnë të mbyllen, për çka ka kërkuar mbështetjen e Qeverisë.
Mos përfshirjen e gazetarëve në Pakon Emergjente ai e ka quajtur gabim, ngase siç thotë ai, gazetarët ishin më të ekspozuarit gjatë kësaj kohe.
Madje ai u ka bërë thirrje institucioneve që për mediat të lirohen nga taksat për vitin 2020.
“Kemi bërë një hulumtim se sa humbej i ka shkaktuar Covid-19 mediave. Ndikimi i pandemisë ka prekur shumë mediat, dhe kanë qenë gazetarët më të ekspozuarit. Gazetarët janë heronjtë, të cilët rrezikuan jetën gjatë pandemisë. Hulumtimi flet për gjendjen e mediave gjatë pandemisë. U bëjnë thirrje Qeveria që të futen në Pakon Emergjente në kategorinë ku janë mjekët dhe Policia me nga 300 euro. Qeveria nuk i përfshiu gazetaret në këtë kohë pandemie. IMK-ja u bën thirrje Qeverisë të lirojë nga taksa për vitin 2020. Mediet lokale janë në rrezik dhe të mbyllen rreth 15 medie”, ka thënë ai.
Safet Fazliu, nga “D@D”, tha se shifrat e dala nga hulumtimi janë shqetësuese për rrezikun e mbylljes së mediave.
“Janë anketuar 92 kompani mediale duke përfshirë TV, radio, portale dhe të gjitha llojet e mediave. Krahas anketimit online është bërë edhe një ‘desk research’ për të parë ndikimin nga pandemia. 97.7 për qind e mediave janë deklaruar se Coronavirusi ka ndikuar në punën e tyre. 38 për qind e mediave janë obliguar ta reduktojnë stafin e tyre. Hulumtimi na tregon qartë se mediat janë në rrezik dhe të mbyllen disa mediume që operojnë që nga paslufta është për të ardhur keq. Mbyllja e mediave nuk është alternativë”, ka thënë ai, raporton EO.