Kryeministri i Irakut Mustafa al-Kadhimi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe në luftën kundër terrorizmit
Iraku kërkon të forcojë marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat me Turqinë, deklaroi të shtunën kryeministri i vendit Mustafa al-Kadhimi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i sapozgjedhur u takua me Fatih Yıldız, ambasadorin e Turqisë në Bagdad, tha Zyra e Kryeministrit të Irakut në një deklaratë.
Al-Khadimi theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Turqinë në ekonomi dhe në luftën kundër terrorizmit.
Yıldız e ka uruar al-Kadhimi-n për arritjen e votëbesimit.
Të enjten, parlamenti i Irakut i dha votëbesim kryeministrit të ri al-Kadhimi dhe kabinetit të tij të pjesshëm, për të pasuar qeverinë e dorëhequr të kryesuar nga Adel Abdul-Mahdi.
Al-Kadhimi arriti të formojë një qeveri të re pasi dy ish-kryeministrat e nominuar, Mohammad Allawi dhe Adnan Al-Zurfi, nuk arritën të merrnin mbështetjen.
Iraku është tronditur nga protestat masive që nga fillimi i tetorit për shkak të kushteve të dobëta të jetesës dhe korrupsionit, duke detyruar kryeministrin Adil Abdul-Mahdi të japë dorëheqjen.
Të paktën 496 irakianë janë vrarë dhe 17.000 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i demonstratave më 1 tetor të vitit të kaluar, sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut.