Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është i mendimit se disa qarqe evropiane duan të pengojnë një marrëveshje për njohje reciproke me Serbinë.
Në një intervistë për Ora News, Haradinaj thotë se BE-ja është e pafuqishme për t’u marrë tashmë me çështjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, madje ai shprehet i habitur me qëndrimin e Gjermanisë dhe kancelares Merkel, e cila përkrah Josep Borell, i cili le të hapur çështjen e kufijve.
“Është dëshirë për të penguar një marrëveshje nga disa qarqe evropiane. Dikur evropianët mundoheshin t’i atribuonin kritikën për diskutim të territorit të Kosovës amerikanëve. Tani shihet se evropianët nga frika që amerikanët mund ta përshpejtojë arritjen e një marrëveshjeje ata vetë e hapin mundësinë e diskutimit të territorit, në mënyrë që të krijojë rezistencë ndaj arritjes së një marrëveshje. Evropa në të kaluarën e bëri një gabim të madh. I la zonjës Mogerini duar të lira të flasë në emër të BE-së”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka përmendur edhe idenë për shkëmbim të territoreve, duke thënë se diskutime të tilla kanë sjellë luftëra.
“Është e habitshme sot Berlini zyrtar si e lejon zotin Borell. Merkel ishte kundër lëvizjes së kufijve dhe e ne çojmë këtë, tani habitem si e lejon Merkel njeriu që flet në emër të BE të lërë të hapur mundësinë e shkëmbimit të territoreve. Kjo flet për pafuqinë e BE për ta trajtuar këtë temë me sukses. Berlini zyrtar i nxitua të deklaronte se Borell dhe Lajçak janë Gjermania dhe ne i përkrahim. Për mua është e palogjikshme. Si mundet Berlini zyrtar të jetë në një vijë me Borell i cili le të hapur çështjen e kufijve të territoreve. Duhet që kancelarja Merkel dhe presidenti Makron të veprojnë me Borell njësoj siç kanë vepruar me Mogherinin për t’ia marrë temën e dialogut.
Është rrezik të lejohet vazhdimi i marrjes me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, i cili ka tolerancë të tillë. Toleranca e diskutimit të çështjes së territoreve të kufijve në Ballkan ka sjellë luftëra. Të gjithë e dinë kur diskutohen kufijtë në Ballkan sidomos kur janë ndalë me luftë”, ka thënë ai.