Ndërhyrjet nuk do të lejohen, fushat duhet të dezinfektohen dhe grupet nuk mund të kenë më shumë se pesë lojtarë, kur Premier League të fillojë fazën e parë të stërvitjeve ekipore.
Protokolli zyrtar u është dërguar të martën lojtarëve dhe trajnerëve. Sipas BBC, ai parasheh që distanca sociale të “respektohet rrënjësisht”.
Flamujt në kënde, topat, konet, shtyllat dhe madje edhe fusha e lojës duhet të dezinfektohen pas çdo seance stërvitore.
Drejtuesit e Ligës shpresojnë se stërvitjet mund të rifillojnë të hënën dhe të zgjasin nga 75 minuta.
Masat e vazhdueshme të mbikëqyrjes të përfshira në udhëzime përfshijnë testimin e lojtarëve dy herë në javë, plotësimin e një pyetësori para stërvitjeve dhe matjen e temperaturës.
Ka edhe shumë masa tjera që parashikohen në protokoll. Ndër të tjera lojtarët duhet të udhëtojnë të vetëm për në stërvitje dhe nga stërvitja për në shtëpi. Veturat duhet të pastrohen rregullisht. Veturat e skuadrave dhe transporti publik nuk mund të shfrytëzohen.
Të mërkurën lojtarët takohen me Premier Leaguen, stafin mjekësor dhe me Asociacionin e Lojtarëve.