Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sot është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, lidhur me kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2017.
Basha refuzoi thirrjen e parë të prokurorisë pas ardhjes së letërporosive nga ShBA.
Prokuroria nisi verifikimet për kontratën e lobimit të PD me disa kompani amerikane në nëntor të vitit 2017.
Objekt i këtij verifikimi është sqarimi i burimit të financimit për këto kontrata dhe skanimi i tyre për të parë nëse transaksionet kanë qenë të rregullta ligjërisht.
Kontrata e parë e lobimit ishte ajo mes PD dhe ‘Stonington Strategies’ me vlerë 25 mijë USD në muaj. Afati i kontratës ishte tre mujor dhe qëllimi i saj ishte ‘projektimi dhe implementimi’ i fushatës së PD.
Qëllimi i saj ishte promovimi i qëllimeve të PD në media dhe pranë figurave politike në SHBA.
Më pas PD bëri edhe një pagesë shtesë prej 500 mijë USD për sigurimin e disa takimeve ose pjesmarrje në evente në Uashington D.C.
Ndërsa në dalje Basha dha edhe një deklaratë për mediat.
Ai i kërkoi Prokurorisë që të bëjë publike përgjigjet e ardhura nga Amerika për këtë çështje.
“Jemi thirrur si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e hetimit. Hetimi i hapur prej një viti bëhet mbi bazën e plotësimit të formularëve në KQZ. Çështja që po hetohet me kërkesë të PD-së është nëse këto janë mbushur apo jo si duhet dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet nga qeveria.
Ka një vit e gjysmë ky hetim dhe 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet dhe që vërtetojnë që asnjë drejtues i PD-së nuk ka shkelur asnjë ligj, as në Shqipëri, as në SHBA apo Britani. I kam kërkuar prokurorisë ti bëj publike përgjigjet e ardhura. PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj”, tha Basha.