Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka pasur një bashkëbisedim online me kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, ku ka diskutuar për situatën e krijuar nga pandemia por dhe masat e ndërmarra për përballimin e saj.
Përmes një postimi në Facebook, Basha tha se ka falenderuar Mitsotakis për mundësitë e krijuara për punonjësit sezonale nga Shqipëria në këto kohë të vështira.
Nga ana tjetër, Mitsotakis u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në menaxhimin e turizimit në këtë kohë pandemie, dhe siguroi se Greqia dëshiron një Shqipëri europiane, demokratike dhe me një ekonomi të zhvilluar.
Postimi i plotë:
”Pata kënaqësinë të zhvilloja një video konferencë me kryeministrin e Greqisë z. Kyriakos Mitsotakis për të diskutuar situatën e krijuar nga pandemia por dhe masat e ndërmarra për përballimin e saj.
Gjatë bisedës, e falenderova kryeministrin grek për mundësitë e krijuara për punonjësit sezonalë nga Shqipëria në këto kohë të vështira. Sa më shumë mundësi punësimi për qytetarët shqiptarë aq më mirë është për ekonominë tonë në këtë kohë krize. Shqiptarët në Greqi dhe komuniteti grek në Shqipëri janë ura të rëndësishme lidhëse mes dy popujve tanë.
Në këtë drejtim diskutuam edhe mundësinë e ndihmës për sektorin e turizmit shqiptar për të cilin kryeministri Mitsotakis u shpreh i gatshëm të na vërë në dispozicion strategjinë e tyre të menaxhimit të turizmit në këtë kohë pandemie.
Në emër të PD e falenderova kryeministrin grek për vullnetin e shprehur për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Gjithashtu i shpreha mirënjohjen si kryetar i Nea Demokracia, simotrës tonë në Partinë Popullore Europiane, për mbështetjen e dhënë nga PPE në promovimin e reformave të domosdoshme dhe përmbushjen sa më parë të 15 kushteve për integrimin europian të Shqipërisë.
Nga ana e tij kryeministri Mitsotakis më siguroi se Greqia dëshiron dhe do të ndihmojë për një Shqipëri europiane, demokratike dhe me një ekonomi të zhvilluar.”