Rifillimi i propozuar nga La Liga për muajin tjetër, ka bërë që tifozët të jenë të emocionuar dhe njëkohësisht të mërzitur për kthimin e futbollit spanjoll pa praninë e tyre në tribuna.
Më shumë se dy muaj pasi pandemia e koronavirusit ndaloi sezonin në Spanjë, lojtarët kanë filluar stërvitjet në grupe të vogla pasi synojnë të jenë sa më të gatshëm për rifillimin e planifikuar të garave më 12 qershor, raporton KOHA.
Kështu që, futbolli kur të rinisë në Spanjë, golat, pritjet dhe ndërhyrjet do të përshëndeten të gjitha nga heshtja ose në rastin më të mirë, brohoritjet artificiale të aprovuara nga autoritetet për t’u pompuar nga një sistem të zërit. Edhe për Sevillan kundër Real Betisit, derbi i fortë andaluzian që ka rëndësinë e tifozëve më shumë se çdo ndeshje tjetër në La Liga, atmosfera do të jetë inekzistente në fundjavën e parë të rifillimit të La Ligas.
Pra, derbi i Sevillas do të jetë ndeshja më interesante e asaj xhiroje. Por për klubet, ekziston një domosdoshmëri financiare duke pasur parasysh që presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka vlerësuar se anulimi i sezonit mund t’u kushtojë atyre me një miliard euro humbje.
“Njerëzit kanë nevojë për dozën e tyre të futbollit”, tha Adolfo Barbero, një komentator në “Movistar”, transmetuesi kryesor i futbollit në Spanjë. “Ka shumë dëshirë që tifozët të shkojnë në ndeshje, por për shumicën tani, primare është që të luhet futbolli. Ata duan t’i shohin 22 djem, një top dhe një fushë të gjelbër, pjesa tjetër do të jetë për më pas”.
Për tifozët ekziston një lloj pranimi që sporti të rikthehet në formë të heshtur, është më mirë sesa të mos kthehet fare.