Disa kompani konkurrente mes tyre në ShBA po bashkëpunojnë për të prodhuar vaksina kundër Covid-19 brenda fundit të vitit 2020. Nëpërmjet partneritetit privat – publik, ShBA-ja do t’i testojë vaksinat kandidate brenda një grupi prej 100 mijë vullnetarësh. Puna që synohet të përfundojë brenda këtij viti zakonisht zhvillohet për 10 vjet.
Shtetet e Bashkuara planifikojnë të ndërmarrin një plan masiv testimi për disa vaksina me rreth 100 mijë vullnetarë me qëllimin për të zhvilluar dhe prodhuar disa vaksina efikase dhe të sigurta brenda fundit të vitit 2020.
Kjo punë zakonisht kryhet për një periudhë 10 vjeçare, por ngutja vjen për shkak të pandemisë që ka sjellë përhapja e Covid-19 e që deri më tani ka prekur mbi 5 milionë vetë dhe ka vrarë mbi 335 mijë në mbarë botën.
Për të shpejtuar punën, prodhuesit dhe zhvilluesit e vaksinave kanë rënë dakord të ndajnë mes tyre punën shkencore dhe të dhënat e provave klinike, pavarësisht se janë konkurrentë mes tyre. Vaksinat kandidate do të testohen brenda një grupi prej 20 deri në 30 mijë vullnetarësh brenda qershorit.
Në këto studime do të regjistrohen rreth 100 mijë apo 150 mijë vullnetarë.
“Nëse nuk ka ndonjë problem sigurie, puna do të vazhdojë pa ndërprerje,” thotë Dr. Francis Collins, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.
Vaksinat do të realizohen nëpërmjet partneritetit privat dhe publik brenda nismës së quajtur Përshpejtimi i Ndërhyrjes Terapeutike dhe Vaksinave për COVID-19, të lajmëruar muajin e kaluar. Kjo nismë mbështet edhe nga programi i Shtëpisë së Bardhë për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinave për koronavirusin e ri.
Deri tani testimet në njerëz janë zhvilluar në grupe të vogla për të provuar sigurinë dhe gjetur dozën e nevojshme dhe efikase kundër virusit.
“Për shkak të gjendjes që po kalojmë, shumë hapa të ndjekur për vaksinat në të kaluarën do të kapërcehen,” thotë dr. Collins.
Deri tani qeveria amerikane ka mobilizuar miliarda dollarë fonde për të ndihmuar prodhimin e dozave të vaksinave, pavarësisht se ato mund të dështojnë.
/Ora News.tv/