Liga e Malit të Zi në futboll vazhdon të shtunën. Madje do të lejohen edhe shikuesit në stadiume, është bërë e ditur të hënën.
Tashmë kampionati i futbollit ka rifilluar në disa vende evropiane, por shikuesit nuk lejohen në stadiume. Në Mal të Zi është vendosur për hap tutje. Mali i Zi ka mbi dhjetë ditë që nuk ka raportuar raste të reja me COVID-19, ndërsa është vendi i parë në Evropë që nuk ka asnjë rast aktiv aktualisht.
Se shikuesit do të lejohen në ngjarje sportive e ka bërë të ditur kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq në një konferencë për shtyp.
“Do të lejohet numër i kufizuar i publikut në ngjarje sportive, me masa të duhura”, ka thënë Markoviq.
Rreth një muaj më parë është vlerësuar e pamundur që edicioni të rifillojë në Mal të Zi. Të lejohen shikuesit nuk ka qenë opsion. Por situata është përmirësuar ndjeshëm së fundi dhe masat janë lehtësuar.
Kampionati në Mal të Zi rifillon pas 84 ditëve, ndërsa 13 xhirot si dhe gjysmëfinalet dhe finalja e Kupës do të luhen deri më 2 gusht. Barazhi për vend në elitë do të luhet më 3 e 8 gusht.
Sipas “vijesti.me”, ka mbetur që të përcaktohet numri i tifozëve që do të lejohen nëpër stadiume.