Publikimi i një fotografie të ministres së Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Radmila Shekerinska para flamurit të UÇK-së, gjatë vizitës së saj te kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, ka nxitur reagime të ashpra nga Serbia, posaçërisht homologu i saj serb, Aleksandar Vulin.
Vetë Shekerinska, pas reagimeve, kishte shkruar në rrjetet sociale: “Ngjarjet e vitit 2001 janë prapa neve. Shoqëria jonë në mënyrë demokratike dhe të vazhdueshme ka mbizotëruar krizën ushtarake, gjë për të cilën jemi dëshmitarë sot, si anëtarë të NATO-s. Në vitin 2020, gjëja e rëndësishme është fakti nëse politikanët janë duke u shërbyer qytetarëve. Shërbimi i qytetarëve është matës i udhëheqjes së mire, e jo ikonografia”.
Vulin ndërkaq ka thënë të dielen se “nëse kalimi i kohës është i mjaftueshëm që të gjitha të harrohen dhe flamujt nën të cilit janë kryer krime nuk janë të rëndësishëm, pse nuk po fotografohet ministrja Shekerinska edhe para svastikës, e të thotë se kanë kaluar 75 vite nga lufta dhe tash është koha për udhëheqësi të mirë”, raporton FoNet.