Zëdhënësi i presidencës Tedi Blushi ka reaguar pas opinionit të Komisionit të Venecias për paketën anti-shpifje.
Përmes një postimi në Facebook, Blushi shkruan se ky komision ka konfirmuar qëndrimin e drejtë të presidentit Ilir Meta si një paketë anti-kushtetuese.
Postimi i plotë
Ashtu sikundër pritej, Komisioni i Venecias ka konfirmuar qëndrimin e drejtë të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për paketën anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”.
Siç është sqaruar edhe me dekretet e Presidentit Meta, këto ligje jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:
– Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
– Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;
– Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;
– Nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
– Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)
Pa garantuar lirinë e shprehjes nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim.
Liria dhe pavarësia e medias e para
Ky komision ka “goditur” ligjin anti-shpifja, ku në draft-raportin e siguruar nga Ora News për këtë çështje sugjeron se qeveria duhet ta rishikojë këtë paketë ligjore.
“Komisioni i Venecias rekomandon të rishqyrtohet miratimi i amendamenteve të draftit në Ligjin Nr. 97/2013 (dhe amendamenteve të draftit në lidhje me Ligjin nr. 9918/2008), siç u votua nga Parlamenti në Dhjetor 2019. Problemet e identifikuara nga autoritetet mund të jenë serioze, por mjetet ligjore të futura në amendamentet e draftit mund të bëjnë më shumë dëm sesa mirë për lirinë e shprehjes në Shqipëri, për sa i përket mediave në internet.” , thuhet në draft-opinion.