Hapësira të reja me tavane me ndriçim, sistem i ri elektrik e panele akustike janë pamjet e reja në mjediset e brendshme të Universitetit të Arteve në Tiranë. Në 93-vjetorin e lindjes së kompozitorit të shquar, Çesk Zadeja, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kanë vizituar të hënën mjediset e rinovuara të ndërtesës monumentale brenda kampusit universitar.
“Më në fund këtyre ambienteve iu kthye shkëlqimi i venitur prej harresës. Shumë shpejt edhe Salla e Koncerteve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, për t’u kthyer në një nga polet më të rëndësishme kulturore, jo vetëm të kryeqytetit”, ka shkruar ministrja Margariti në një njoftim të afishuar në faqen e saj në “Facebook”.
Për kreun e Qeverisë shqiptare, godina qendrore e Universitetit të Arteve, si objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, po transformohet së brendshmi në kuadrin e Paktit për Universitetin.
Sipas tij, rinovimi i bërë garanton kushte optimale për studentët e pedagogët, por në të janë rivlerësuar e restauruar të gjithë elementët që e bëjnë atë “një gur të çmuar të gjerdanit të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”.