Edhe 42 raste të reja me Covid-19 i janë shtuar Shqipërisë. Këtë e bëri të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu ku tha se sistemi shëndetësor është vendosur në gatishmëri të përforcuar dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për zbatimin e rregullave.
“Në situatën ku ndodhemi sot, e cila ishte brenda pritshmërive tona kur planifikuam rihapjen, është e domosdoshme që gjithësecili të marrë përgjegjësitë e veta qytetare, me qëllim që të ruajë veten dhe të tjerët”, thotë ajo.
Mesazhi i ministres:
Të gjithë ne dëshirojmë një gjë, kundrejt Covid-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi i ri: Ta mundim një herë e mirë, për të mos e pasur më mes nesh.
Shtete shumë më të zhvilluara se Shqipëria po vazhdojnë të përballen me këtë infeksion. Disa pa e ndërprerë asnjëherë luftën, të tjerë duke luftuar me rikthimin e tij.
Pas hapjes fillimisht graduale, dhe më pas tërësore dy javë më parë, Shqipëria ka ende transmetime komunitare të infeksionit në Tiranë, Shkodër dhe Durrës. Kemi të prekur dhe shtim të numrit të pacientëve në Spitalin Infektiv.
Që kur vendosëm për rihapjen, kemi ndarë me ju besimin se gjërat do të shkojnë mirë, vetëm nëse plotësohet një kusht themelor: bashkëpunimi i qytetarëve. Normaliteti i ri nuk do të jetë kurrë si ai i para Covid-19, për sa kohë që asnjë vend i botës nuk ka mundur të gjejë ende, as kurën, as vaksinën.
Për këtë arsye, asnjëri nga ne nuk mund t’i lejojë vetes që, pas rihapjes, të relaksojë dhe neglizhojë masat individuale të higjenës dhe distancimit soial, apo edhe të protokolleve. Sepse kjo do të ishte një “recetë” për përhapje të shpejtë të infeksionit.
Në situatën ku ndodhemi sot, e cila ishte brenda pritshmërive tona kur planifikuam rihapjen, është e domosdoshme që gjithësecili të marrë përgjegjësitë e veta qytetare, me qëlim që të ruajë veten dhe të tjerët.
Sistemi shëndetësor është në nivelin më të lartë të gatishmërisë dhe puna në terren nuk është ndalur për asnjë çast, për zbulimin e çdo rasti dhe kontakti, për të këputur zinxhirin e infeksionit.
Megjithatë, edhe mjekët, heronjtë e gjithëpranuar të këtyre kohëve, pak mund të bëjnë pa bashkëpunimin e qytetarëve, ashtu siç ka ndodhur që në ditën e parë të kësaj luftë.
E kam thënë edhe herë tjetër, pak vlen t’i lëvdojmë dhe falënderojmë, nëse vetë nuk bëjmë secili pjesën tonë, për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Ju lutem dëgjojini thirrjet e tyre, dhe informohuni vetëm nëpërmjet institucioneve përgjegjëse shëndetësore.
Ju lutem, të mos e ulim vigjilencën dhe të mbrojmë veten, të afërmit, miqtë tanë.
Ju lutem, vazhdojmë të bashkëpunojmë për të mos e çuar dëm sakrificën e këtyre muajve, kur të gjithë bashkë, qeveri dhe shoqëri dhamë një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit në mbrojtje të shëndetit, nëpërmjet zbatimit të rregullave të higjenës dhe distancimit fizik, si dhe protokolleve të nxjerra nga institucionet shëndetësore.