Ekipi kombëtar i Kosovës ka arritur të shënojë ngritje përsëri në ranglistën e FIFA-s për ekipet kombëtare. Tani, “Dardanët” radhiten tri pozita më lart, në vendin e 130-të.
Sot, FIFA e publikoi ranglistën e re për renditjen e ekipeve kombëtare, pas ndeshjeve të marsit. Edhe këtë herë, Kosova ka arritur që të ngrihet më lart në këtë renditje, duke e shënuar pozitën më të lart ndonjëherë, raporton Gazeta Express.
Para dy ndeshjeve që i zhvilloi në mars, Kosova u radhit në pozitën e 130-të, ndërsa tani radhitet në vendin e 127-të, me 11 pikë më shumë.
Kosova i zhvilloi dy ndeshje gjatë afatit të ndeshjeve kombëtare. Edhe pse këto dy ndeshje përfunduan barazime, “Dardanët” arritën që të ngrihen edhe më lart në ranglistën e FIFA-s.
Fillimisht, më 21 mars, skuadra e Bernard Challandes, që është ngritur për tri vende, e zhvilloi një ndeshje miqësore kundër Danimarkës, që pozicionohet në vendin e dhjetë në këtë renditje.
Ndeshja përfundoi me rezultat 2:2 dhe “Dardanët” kishin qenë shumë afër për ta siguruar fitoren, mirëpo Danimarka e shënoi golin e barazimit në minutat shtesë të ndeshjes. Edhe pse barazim, Kosova fitoi pikë nga kjo ndeshje pasi që kundërshtari i saj ishte me renditje shumë më të mirë sesa kosovarët.
Edhe ndeshja e radhës, kundër Bullgarisë, përfundoi baras, me rezultat 1:1. Në këtë ndeshje, Kosova e filloi rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020. Pasi që ndeshja nuk ishte miqësore dhe Bullgaria ka renditje më të mirë në listën e FIFA-s, Kosova arriti të fitojë pikë edhe nga kjo ndeshje.