Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj u është bashkëngjitur reagimeve të krerëve tjerë institucionalë ndaj inicimit të aktakuzës nga Specialja kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, duke thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se UÇK-ja është jo vetëm pika më e lartë e përpjekjeve historike të popullit të Kosovës për liri e vetëvendosje, por edhe kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë kombëtare.
“Sot, duke qenë krejtësisht të bindur në pafajësinë e tyre të plotë, e duke njohur me nderim të thellë punën e tyre në shërbim të kombit shqiptar e vlerave njerëzore, mbështetje e pakursyer për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjithnjë duke kujtuar kryelartë e ballëhapur gjithë historinë e ndritur e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Cakaj.
“Atë që mund ta mbulojë mjegulla e politikës ditore, nuk mund ta fshehë kurrë as historia: krenar me punën e tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetësisë së saj që nga themeli. Kaq. Mirënjohje, nderim e krenari, natyrisht, për çdo pjesëtar të UÇK-së për shërbimin e pastër ndaj vendit dhe qëndrimit në faqen e bardhë të historisë.
Mbase në botë mund të ndodhin shumë çudira, por nuk ka asnjë forcë mbi rruzullin tokësor që mund ta rishkruajë historinë, njollosë UÇK-në, a tjetërsojë përpjekjen e popullit shqiptar për drejtësi dhe çlirim! Nderim udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, përfundon reagimi i Cakajt.