Rasti i deputetit Haxhi Shala, që në ditën e votimit të Qeverisë Hoti kishte deklaruar se vizita e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt ia ndryshoi qëndrimin, është dorëzuar në Kushtetuese të mërkuren.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi ka thënë se Gjykatës ia ka kërkuar të vlerësojë veprimet e presidentit Thaçi në rastin e “nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Shala, për të ndryshuar qëndrim për votën e Qeverisë”.
“Jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, shkruhet në njoftimin e LVV-së, të postuar në Facebook.
LVV-ja në të njëjtën kohë ka akuzuar presidentin Thaçi.
“Është e tepërt të thuhet më se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon Presidentit rol aktiv në skenën politike, sepse kjo çfarë ka bërë Thaçi nuk është vetëm angazhim aktiv politik, por edhe ndërhyrje e rëndë në rendin tonë kushtetues, por as si e tillë nuk është e para”, shkruhet në njoftim.
Vota e Shalës kishte qenë e 61-ta për Qeverinë Hoti.
Kontributin e tyre, në ndryshimin e votës së Shalës nuk e kishin mohuar as Thaçi e as Haradinaj.
Thaçi kishte deklaruar se këshilla u jep të gjithë të interesuarve e Haradinaj se i tregoi Shalës së si do të vepronte ai po të ishte deputet.
Link: