Komisioni Evropian dorëzoi sot pranë Këshillit të BE-së projekt-kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që përmbajnë parimet udhëheqëse për negociatat e anëtarësimit me dy vendet Ballkanike.
Për përcaktimin e një date për hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet që ky kuadër negociues të aprovohet nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Kuadri negociues përmban parimet, strukturën, thelbin e procesit të negociatave dhe bazohet në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit për dy vendet.
“E sotmja shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Duke përmbushur angazhimin tonë, ne ofrojmë një kuadër konkret për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit.
Propozimi ynë ndërtohet mbi metodologjinë e rishikuar të zgjerimit që prezantuam në Shkurt për ta bërë procesin e anëtarësimit më të besueshëm, me një drejtim më të fortë politik, më dinamik dhe më të parashikueshëm”, deklaroi Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi.
Kuadri negociues përcakton parimet dhe udhëzimet për negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat. Ato përbëhen nga parimet që udhëheqin negociatat për anëtarësim, nga substanca e negociatave dhe nga procedura e tyre. Qëllimi përfundimtar i këtij procesi është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të miratojnë dhe garantojnë zbatimin e plotë të gjithë legjislacionit të BE-së.
Edhe Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, ka reaguar duke u shprehur se tashmë “është thelbësore që qeveria shqiptare dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse t’i përqendrojnë veprimet e tyre për të adresuar kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian”.