Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave, u shpreh kryeministri Rama gjatë fjalës në Kuvend. Sipas tij vendimi pro apo kundër vendit tonë do të varet nga debatet e brendshme mes vendeve anëtare të BE. Pavarësisht interesit të opinionit publik kreu i qeverisë nuk foli në Parlament për vjedhjen e 10 mln eurove në Aeroportin e “Nënë Terezes”.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në foltoren e Parlamentit nuk përmendi në asnjë rresht vjedhjen e 10 mln eurove në Rinas, duke u mjaftuar me një status në Twitter një ditë më parë.
Kreu i qeverisë bëri bilancin e punës se qeverisë në rrugën drejt integrimit, duke deklaruar se Shqipëria i ka bërë detyra e shtëpisë, ndërsa vendimi i qershorit do të varet nga debatet e brendshme nga vendet e unionit.
Edi Rama: “Vendimmarrja në Këshillin Europian është rezultat i debatit të brendshëm në atë Këshill.”
Opozitës që ndodhet jashtë Parlamentit, Edi Rama e akuzoi si pengesa për hapjen e negociatave duke i dhënë hapësirë mundësisë së krijimi të aleancave me vende që nuk e duan integrimin e Shqipërisë.
Edi Rama:“Nga brenda vendit u jepet forcave një ushqim kundër interesave të këtij vendi dhe krijimit të aleancave me forcat që janë të vendosura kundër zgjerimit.”
PS nuk ka ndërmend të lëshojë pushtet, të paktën deri në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Edi Rama: “Nuk e di unë kur do futet Shqipëria në Bashkimin Europian se kjo nuk varet vetëm nga ne. Por unë e di që deri kur të ndodhi Partia Socialiste do jetë këtu me zgjedhje të shumicës.”
Kundër raportit të qeverisë për progresin e Shqipërisë doli deputetja Rudina Hajdari e cila u shpreh që Maqedonia ka më shumë shanse se Shqipëria për të marrë përgjigje pozitive nga Brukseli.
Rudina Hajdari: “Maqedonia ka bërë hapa konkrete, Shqipëria jo. Mos më përmendi Serbinë.”
Në Parlament u betuan edhe 3 deputetë të rinj që erdhën nga lista e PD. Korab Lita, Halil Jakimi dhe Arlind Çaçanin e çojnë numrin e opozitës së re në 23.