Pas takimit me opozitën parlamentare, kryeministri Rama doli në një prononcim për gazetarët ku tha se marrëveshje me opozitën jashtëparlamentare është një bazë me të cilën mund të vazhdojmë më tutje procesin.
Rama shtoi se shumica shqiptare duan që të kenë mundësi që të zgjedhin mes kandidatëve.
Rama:
Jo, sepse kemi një konflikt në themel, që lidhet me marrëveshjen që kemi bërë me opozitën jashtëparlametare dhe për mua ajo është një bazë mbi të cilën mund të zhvillojmë më tutje procesin dhe mund të shtojmë, por nuk mund të heqim, që do të thotë që ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë hapjeje të listave, jemi të gatshëm të diskutojmë për ta formalizuar përgjatë procesit të diskutimeve dhe për të arritur në një konsensus trepalësh. Natyrisht që në një konsensus trepalësh askush nuk do të marrë gjithçka që dëshiron.
Të treja palët do duhet të pranojnë diçka që nuk e dëshirojnë, por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të gjithë të kenë zë në proces dhe të jenë pjesë në proces. Pra, këtu jemi. Natyrisht që, e para kemi nevojë për një mazhorancë të gjerë në Kuvend që është shumë përtej mazhorancës që ne kemi; e dyta, PS-ja nuk do angazhohet në procese kapjeje të një vote këtu dhe një vote atje për të bërë një ligj kaq të rëndësishëm, themelor për të gjiha partitë politike dhe më lejoni ta them që unë nuk kam ndonjë respekt më të madh për ata që janë jashtë sesa për këta që janë brenda.
Askush nuk ka as monopol dhe as priviligje dhe në këtë aspekt dua që të jap një mesazh shumë të qartë për të gjithë: Sot, është e vërtetë që një shumicë dërrmuese qytetarësh shqiptarë duan të kenë më shumë zë në proces, pra, duan të kenë mundësinë jo thjesht të zgjedhin një program, një parti dhe një lider, por edhe të kenë një preferencë për një kandidat apo një kandidat tjetër në një listë, apo në një listë tjetër. Kjo është mëse e qartë dhe ne jemi Partia Socialiste dhe ne e kemi sfidë me vetveten që të jemi pasqyrë ku reflektohen ambiciet dhe dëshirat e njerëzve.
Natyrisht në një proces ku ne jemi të vendosur të ecim kështu siç jemi, si një forcë politike e konsoliduar me një program dhe me një lidership të qartë për publikun, për ne ka shumë rëndësi zgjerimi i aleancës me njerëzit. Aleanca me njerëzit mund të zgjerohet duke i përfshirë ata më shumë në vendimmarrje edhe për deputetët. Por marrëveshja është një pengesë e madhe për anën tjetër, për deputetët aktualë të opozitës dhe ata duhet të pajtohen me idenë që këtë pengesë duhet ta kapërcejnë. Nuk mundet dot t’i rikthehemi marrëveshjes, pavarësisht se unë jam me ta kur thonë që depolitizimi i admnistrimit do ishte shumë më mirë sesa mbajtja e partive në administrim, apo për më tepër pastaj në numërim.
Jam me ta, por është një koncension, apo një lëshim shumë i madh që i kemi bërë Partisë Demokratike. Këtë lëshim besoj që ne duhet ta mbajmë, ndërkohë që për të hapur më tutje dhe për të zgjeruar më tutje procesin, miqtë e opozitës parlamentare duhet të mirëkuptojnë miqtë e opozitës joparlamentare. Kryeministri: Rama: Nuk është çështje e gjërave të vogla, apo të mëdha. Kjo është çështje ekskluzive e parlamentit të Shqipërisë./Ora News/