Më 12 korrik, Kosova dhe Serbia do të takohen në Bruksel me ftesë të Bashkimit Evropian.
Më 12 korrik do të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe palët do të takohen në Bruksel.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar për Lajmi.net, se ky është hapi i parë për rifillimin e një procesi të stërzgjatur dhe se sipas saj, ky takim duhet të shërbejë për gjetjen e një zgjidhjeje më afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të sillte njohjen e Kosovës dhe normalizimin e të dyja vendeve.
Viola von Cramon theksoi për Lajmi.net, se në këtë takim assesi nuk duhet të diskutohet dhe as të jetë temë çështja e shkëmbimit të territoreve.
“Ky do të jetë hapi i parë i një dialogu të gjatë, i cili duhet të zgjidhë në një afat më të gjatë njohjen e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Ajo që është e rëndësishme është fakti se nuk duhet të jetë temë shkëmbimi i territoreve dhe nuk duhet të diskutohet. Të gjitha palët duhet të përjashtojnë këtë si një opsion, pasi kjo nuk do të zgjidhte problemin e njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi. Bashkimi Evropian duhet të qëndrojë në ulësen e shoferit për dialogun, pasi qëllimi afatgjatë është ende integrimi evropian i të dy vendeve”, ka deklaruar Viola von Cramon.
E pyetur nëse edhe në samitin e 10 korrikut të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, mund të arrihet ndonjë marrëveshje, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka deklaruar se shpreson që të arrihet jo vetëm një, por më shumë marrëveshje. Mirëpo, ajo thotë se nuk ka gjasa që menjëherë pas rifillimit të dialogut të ketë një përfundim të shpejtë.
Viola von Cramon thekson se është e lumtur që do të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shpresojmë së shpejti do të kemi një ose më shumë marrëveshje, por nuk ka gjasa të ketë ndonjë konkluzion të shpejtë. Në përgjithësi, ne jemi të lumtur të shohim rifillimin aktiv të dialogut pas pushimit të gjatë në fund të vitit të kaluar”, deklaroi Viola von Cramon për Lajmi.net.
Theksojmë se Kosova dhe Serbia pritet që më 12 korrik të rifillojnë dialogun mirëpo, paraprakisht më 10 korrik do të zhvillohet një “samit virtual” mes liderëve të Prishtinës dhe Beogradit, që do të ndërmjetësohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhjeje, dhe sipas njoftimeve zyrtare të deri tanishme ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nga Zyra e Macronit thonë se ky është një samit franko-gjerman dhe i BE-së.