Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se qeveria do të nisë së shpejti të japë grantet për banorët e prekur nga tërmeti në Tiranë.
Në një konferencë të përbashkët me kryebashkiakun e Tiranës, Ministrin e Rindërtimit e të tjerë, Rama tha se do të jepen grante fillimisht për 200 familje në banesa individuale, e më tutje për 2882 familje në banesa kolektive.
Deklarata e Ramës:
Qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët, për meremetimet e dëmeve të tërmetit, në një shumë totale afro 8 miliardë lekë ose 80 milionë USD. Nga dita në ditë do të nisim punën në terren. Në Bashkinë e Tiranës do të fillojë shembja e godinave, që konsiderohen të pabanueshme dhe të parindërtueshme. Të gjithë banorët e atyre shtëpive do të marrin shtëpi të reja me kushte shumë më të mira.
Ahmetaj: Sot programi i shkollave është i gjithi aktiv. Janë 140 shkolla në proces ndërtimi apo në procesin përfundimtar të tenerimit. Shuma është 65 milionë euro, që do të financojnë një numër të madh të këtyre shkollave. Të premten do të inauguroni fillimin e punimeve në Farkë për 50 njësitë e para individuale. Ndërkohë në disa bashki të tjera bëhemi gati për fillimin e rindërtimit të njësive individuale, sepse procesi ka mbaruar. Ndërtimi i banesave kolektive urbane kërkon pak më shumë kohë. Besojmë se në fund të shtatorit në gjithë zonën e dëmtuar do të kemi punë në terren.