David Luiz këmbëngul se fitorja tronditëse e Arsenalit 2:0 kundër Manchester City në gjysmëfinale të FA Cup dëshmon se Topçinjtë e meritojnë ta fitojnë një trofe këtë sezon.
Qendërmbrojtësi brazilian i Arsenalit e shijoi një moment të ëmbël shpengimi, sepse paraqitja e tij mbresëlënëse në këtë takim ishte kyçe në eliminimin e Manchester City nga FA Cup në Wembley.
Luiz u kritikua ashpër se e fali një gol dhe u përjashtua me karton të kuq për shkaktimin e një penalltie në humbjen e Arsenalit 3:0 kundër Cityn në ndeshjen e parë mes këtyre dy klubeve pas pandemisë koronavirus.
Por braziliani tregoi tjetër fytyrë në gjysmëfinalen e FA Cup të shtunën, duke i ndihmuar Arsenalit ta sigurojë një vend në finale.
“Do të luajmë në një finale këtë sezon dhe do të përpiqemi ta fitojmë atë për këtë klub sepse ky klub e meriton ta fitojë një trofe”, tha Luiz.
“Korrëm rezultat të madh kundër njërit prej ekipeve më të mira në botë. Ne e kuptuam sesi duhej të luanim dhe i shfrytëzuam rastet për të shënuar”, shtoi ai.