Serbia ka një parlament të ri me 250 deputetë. Opozita konteston legjitimitetin e zgjedhjeve, për shkak të bojkotimit nga disa parti. Serbia është futur nën dominimin njëpartiak.
Me betimin e deputetëve të rinj është konstituuar parlamenti i Serbisë në përbërje të re, por të martën nuk u arrit të zgjidhej kryetari i parlamentit. Deputetët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) u përpoqën që ta shpjegojnë moszgjedhjen e kryetarit të parlamentit me mungesën e marrëveshjes politike për qeverinë e ardhshme. Pas zgjedhjeve të qershorit, të cilat janë zhvilluar në mes të pandemisë, SNS ka shënuar një fitore shumë bindëse, me rreth 63% të votave, por pikërisht ky fakt ka hedhur një hije të rëndë mbi këto zgjedhje.
“Kuvend i rrejshëm pas zgjedhjeve të rrejshme”
Një pjesë e opozitës i ka bojkotuar zgjedhjet dhe njëkohësisht ka kërkuar përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe përsëritjen e tyre. Ndaj gazetari Srgjan Shkoro thotë për DW se tani “kemi një kuvend të rrejshëm, të fituar nga zgjedhje të rrejshme, në një mënyrë që nuk e sheh askund në botë, në vendet demokratike“.
Në këtë parlament nuk do të ketë opozitë, thotë Shkoro, sipas së cilit kjo gjendje nuk do të mund të zgjasë shumë. „Parlamenti nuk e shpreh gjendjen reale në Serbi. Disa njerëz do t’i kryejnë tani punët e tyre private dhe do të bëhen deputetë, por nuk do të zgjidhin asnjë problem të madh në shoqëri. As parlamenti i kaluar nuk e ka kryer detyrën elementare të tij, e të mos flasim për këtë tani. Pres që të rriten tensionet dhe mendoj se së shpejti do të kemi zgjedhje të reja në Serbi, në të gjitha nivelet”, mendon Shkoro.
Analisti politik, që deri dje ka qenë edhe deputet, Gjorgje Vukadinoviq, thotë për DW se ky është, përveç Bjellorusisë, parlamenti i vetëm në Evropë pa opozitë. Ky parlament do të jetë nën hijen e bojkotit dhe të gjitha gjërave të tjera që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve. Ky parlament thjesht nuk përkon me realitetin në Serbi, pohon Vukadinoviq.
„Mendoj se do të dështojë edhe përpjekja e Aleksandar Vuçiqit që të krijojë një opozitë, ku do të jenë së bashku Aleksandar Shapiq dhe Ivica Daçiq. Shapiqi ndoshta do të futet madje në koalicionin qeveritar, ndërsa Partia Socialiste e Daçiqit po i afrohet statusit të Raim Lajiqit dhe partisë PUPS“, mendon Vukadinoviq.
Srgjan Shkoro nuk mendon se Gjykata Kushtetuese do të marrë ndonjë vendim në favor të opozitës. Ai mendon, se nuk do të ketë ndonjë reagim relevant as nga Evropa. „Ata e dinë shumë mirë se gjërat këtu janë në kundërshtim me vlerat evropiane. Për ‘shkaqe të larta’ po heshtin, por mendoj se janë duke i regjistruar diku të gjitha këto zhvillime në Serbi dhe është vetëm çështje e kohës se kur do të hapet kjo çështje“, pohon Shkoro.
Parlamenti i ri – më i keq se i vjetri
Parlamenti i ri nuk do të ketë kurrfarë autoriteti, nuk do të mund të kryejë detyrën elementare, që është kontrolli i pushtetit ekzekutiv, pohon Vukadinoviq. „Kjo përbërje e parlamentit nuk do të mund të kontrollojë pushtetin as aq sa përbërja e kaluar – për shkak se nuk ka opozitë të fuqishme“, nënvizon Vukadinoviq.
Seanca konstitutive është ndërprerë pas verifikimit të mandateve, por pa zgjidhjen e kryetarit të parlamentit. Vukadinoviq mendon se Vuçiqi, si edhe herëve të tjera, po blen kohë duke shtuar se vazhdimi i seancës mund të shoqërohej edhe me protesta të shumta. „Vuçiqi thjesht ka frikë nga demonstratat serioze para kuvendit të Serbisë“, thekson Vukadinoviq.
Opozita nuk e njeh këtë parlament
Një pjesë e opozitës nuk e njeh përbërjen e re të parlamentit dhe po përpiqet të organizojë protesta. Por përpjekjet e para janë evituar nga policia. Kryetari i lëvizjes “Dosta” (Mjaft), Sasha Radulloviq thotë se “përbërja e re e parlamentit është falsifikuar, sikundër janë falsifikuar edhe zgjedhjet“. Kjo lëvizje ka kërkuar rishikimin e procesit zgjedhor nga Gjykata Kushtetuese.
Disa opozitarë kanë paralajmëruar se deputetët e rinj të parlamentit do t’i presin para godinës me pushkë “paintball”, me vezë dhe domate, por policia i ka bllokuar rrugët para parlamentit. Policia ka ndaluar makinën e ish-deputetit Srdjan Nogo ku është gjetur një pushkë e këtillë por edhe gjëra të tjera. Nogo dhe Zoran Radojçiq, po ashtu ish-deputet, janë futur në paraburgim. Legjitimitetin e parlamentit dhe të zgjedhjeve të fundit nuk e njeh as opozita e bashkuar. Përfaqësuesit opozitarë thonë se “legjitimitetin e konteston edhe shumica e Evropës”, duke shtuar se “nga këto zgjedhje ka dalë një parlament njëpartiak, që është një ndër të rrallët në botë“.